Dhunë në një familje: Burri rrah gruan dhe vajzën, ato e denoncojnë në Polici
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në fshatin Peran të Podujevës, ku kryefamiljari dyshohet se ka rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Sinjali mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja bashkë me vajzën 18-vjeçare kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.
Bazuar në dëshminë e viktimave, 56-vjeçari ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike për disa herë me radhë, duke iu shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.