Lajme

Dhunë në familje në Prishtinë – burri e kap për flokësh dhe e nxjerr nga shtëpia të dashuren

Një rast tjetër i dhunës në familje është regjistruar në kryeqytet, ku një grua ka raportuar se është sulmuar dhe keqtrajtuar fizikisht nga bashkëjetuesi i saj.

Ngjarja ka ndodhur më 28 tetor 2025, rreth orës 17:00, në rrugën “Katarina Josipi” në Prishtinë. Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë me dije se i dyshuari B.S, ka ushtruar dhunë fizike ndaj F. Gj, me të cilën është në lidhje bashkëjetese.

Sipas deklaratës së viktimës, i dyshuari e ka kapur për krahu dhe për flokësh, duke e larguar me forcë nga shtëpia pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

Policia ka reaguar menjëherë, duke e intervistuar të dyshuarin, ndërsa pas konsultimit me prokurorin kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.

Pas procedurave fillestare, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa janë njoftuar Njësia për Mbrojtjen e Viktimave dhe QPS-ja (Qendra për Punë Sociale) për trajtimin e mëtejshëm të rastit.

Hetimet për rastin janë në vijim.