Lajme

Dhunë brutale për vite me radhë: Gruaja nga Ferizaj raporton në Polici keqtrajtimin nga burri për 10 vite martesë

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë ka rrëfyer në Polici një grua nga fshati Nerodime e Poshtme në Ferizaj, e cila e denoncoi bashkëshortin me të cilin është e martuar që 19 vjet, por në 10 vitet e fundit ai ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj saj.

Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë thuhet se në këto vjet ka përjetuar dhunë fizike e psikike sistematikisht, për çka edhe tri raste janë në Gjykatë ku ajo është viktimë. Por rasti të cilin e denoncoi dyshohet se ka ndodhur së fundmi, kur i dyshuari nisi ta sulmojë edhe fizikisht, çka e shtyu atë të kërkojë ndihmë.

Ajo ia mësyu sërish stacionit policor me shenja dhunë nëpër trup, me shpresën së do të përfundojnë telashet në familjen e saj. Pas raportimit të rastit, viktima është dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor, kurse Policia ka ndërmarrë veprimet tjera.

Raportimi i viktimës e bëri Policinë të aktivizohet, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ku e ka mohuar kategorikisht ta ketë sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit dhe inicimin e rastit për dy vepra penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dhunë familje”.