Dhuna në familje në rritje: Nëna nga Fushë Kosova detyrohet ta denoncojë djalin, Policia e shpall në kërkim
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Raste të tilla kanë ndodhur që disa herë në një familje në Fushë Kosovë, ku një person po dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës së tij 59-vjeçare dhe vëllait 22-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se nëna ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka rrëfyer për dhunën dhe kërcënimet që kanë marrë nga i biri që një kohë, por që nuk e kanë raportuar asnjëherë.
Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia është aktivizuar për ta arrestuar të dyshuarin, por i njëjti ndodhet akoma në arrati.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Dhunë në familje”, kurse veprimet e tjera do të ndërmerren posa të kapet i dyshuari.