Lajme

Dhuna ndaj grave s’ka të ndalur: Drenicaku e bën për spital bashkëshorten, lirohet nga Prokurori

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Leqinë të Skenderajt, ku një burrë dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmë nga Policia, si pasojë e presionit nga burri i saj, i cili i ka krijuar frikë dhe shqetësim.

Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur që ta raportojë rastin dhe si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.

Ndaj të riut që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje.