Lajme

Detaje të reja nga rasti i therrjes me thikë në Vushtrri: Punëtori qëlloi shefin

Gazeta Online Veriu.info raportoi ekskluzivisht për një rast të rëndë që ka ndodhur para pak çastesh në Vushtrri, ku një person mbeti i lënduar pasi u therr me thikë.

Veriu.info sjell detaje të reja, ku mëson nga burimet e saj se i plagosur ka mbetur shefi i një biznesi me inicialet V. N., konkretisht një fitnesi Gym Power, i cili u qëllua me thikë nga punëtori i tij.

Rastin e plagosjes me thikë të një personi e kanë konfirmuar edhe nga Emergjenca e Spitalit të Vushtrrisë, ku mjekja kujdestare ka thënë se personi është dërguar për në QKUK për shkak të plagëve të rënda.

Rastin po ashtu e konfirmoi për Veriu.info edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Rreth orës 16:30, Policia në Vushtrri ka marrë informatën për një person të lënduar, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Rushit Strovci” në Vushtrri, . Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është lënduar një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar një person i dyshuar, hetuesit policor janë duke vazhduar me hetime të mëtejme.” – tha Zahiti.