Detaje nga vrasja në tentativë ndaj 23-vjeçarit në Prishtinë, i dyshuari ende i paidentifikuar
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Zagrebi’ në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i plagosur, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë me dije se 23-vjeçari është dërguar atje me plagë në dorë, e që dyshohet se i ishte shkaktuar nga arma e zjarrit.
Pas dhënies së ndihmës së parë, i riu i është nënshtruar trajtimit të mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërkohë që për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovë, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në kuadër të veprimeve hetimore, është marrë edhe dëshmia e viktimës, i cili ka deklaruar se derisa ka qenë duke kaluar rrugën në zebra, është penguar nga i dyshuari i cili është i panjohur për të. I dyshuari i cili po drejtonte një motoçikletë, pas konfliktit verbal ka shtënë me armë në drejtim të viktimës dhe është larguar menjëherë.
Organet e hetuesisë kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’.