KryesoreLajme

Detaje nga plagosja te ‘Kafet e Vogla’: 33-vjeçari u godit me dy plumba – i dyshuari ende në arrati

Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një incident që ka ndodhur në vendin e njohur si te ‘Kafet e Vogla’ në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur 33-vjeçari, Meriton Pajaziti.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së QKUK-së kanë bërë me dije se i riu është dërguar atje me dy plagë në këmbë, të cilat dyshohet se i mori si pasojë e goditjes me dy plumba.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e Pajazitit është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ai po ashtu ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin, ku ka deklaruar se nuk e njeh personin e dyshuar me të cilin e zuri sherri.

Në lokalin ku ndodhi ngjarja, Sinjali mëson se Policia ka gjetur një armë, që dyshohet se është pronë e të lënduarit Pajaziti.

Mbrëmë lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Sot rreth orës 21:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është konfirmuar se një person është plagosur. I njejti është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Ndërlidhur me rastin është gjetur edhe një armë zjarri ndërkohë që policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast”, tha të premten Borovci.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve dhe posa të kapet i dyshuari.