Lajme

Deshi të “fluturoi” me veturë: Policia në Mitrovicë identifikon qytetarin pa patentë që voziti 175 km/h në zonën 80 km/h

Shoferët po duan të “fluturojnë” me vetura nëpër disa rrugë të vendit.

Policia e Kosovës në Mitrovicë ka identifikuar një person i cili në rrugën nacionale Mitrovicë – Prishtinë, ka drejtuar veturën e tij në një shpejtësi marramendëse.

Shoferi i cili nuk posedon as patentë shofer, është kapur me radar duke vozitur 175 km/h në një zonë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80.

“Njësia e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në segmentin rrugor në fshatin Stanovc, gjatë matjes së shpejtësisë me radar ka identifikuar një veturë e cila ishte duke zhvilluar shpejtësi prej 175km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 80 km/h”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lënda për dy kundërvajtjet është proceduar në gjykatën kompetente.