Deputeti i VV pretendoi se sot në Jarinjë do të zbarkojnë serbë pro – rus, flet eksperti i sigurisë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj pretendoi se sot në mesditë, në Jarinjë do të zbarkojnë serbë pro-rusë të armatosur. Rexhaj, i cili është anëtar i Komision për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, shkroi se sot në veri do të duhej të ishte FSK-ja. Lidhur me këtë çështje, për Gazetën Insajderi ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Sipas Shalës, deputeti Rexhaj duhet të tregojë se prej ku i ka marrë këto informacione.
“Është mirë që në rend të parë të pyetet deputeti se nga cilat institucione ka marr ketë informacion që parimisht një ardhje e tillë paraqet rrezik të lartë për sigurinë e vendit” – tha Shala.
Shala tha se institucionet e sigurisë duhet ta ftojnë Rexhajn në një bisedë informative lidhur me atë se kush ia ka dhënë këto informacione, pastaj të merren veprimet operacionale në terren.
“Institucionet e sigurisë do të duhej të ftonin z.Rexhaj në një bisede informative nëse këto informacionet nuk i kanë organet e vendit dhe të analizohen se nga kush janë dhanë si kanë rrjedh deri të z. Rexhaj në mënyrë të drejtpërdrejte apo tërthorazi dhe tek pastaj të merren veprimet operacionale në terren duke shkëmbyer informacionin pas takimit të bisedës informuese edhe me KFOR dhe akteret tjerë relevant që të mirren veprime konkrete në ofrimin dhe sigurimin e territorit të vendit” – tha Shala.
Derisa, në lidhje me një sulm të mundshëm të trupave serb, ka shkruar edhe eksperti i sigurisë Agim Musliu.
Musliu në një postim në rrjetin social, Facebook, shkroi se sulmi në Jarinje i vitit 2008, sot mund të përsëritet.
“Jarinja e 19 shkurtit 2008, sot mund të përsëritet! Një sulm ndaj pikës kufitare është paralajmëruar përmes organizimit të një “proteste”. Nëse kjo ndodh, përgjegjësia nuk është vetëm e Vuçiqit, por edhe e atyre që ende e konsiderojnë faktor paqje. Kosova nuk është vetëm për t’i vënë kushte që të plotësohen standardet integruese evropiane; nuk është vetëm për t’i kërkuar edhe të drejta për qenët në rrugë sesi duhet të trajtohen” – shkroi Musliu.