Lajme

Dënimi me gjobë për Kryetarin Nura pasi largoi nga pozita përkrahësen e Bekim Jasharit

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura është dënuar me 1500 euro gjobë nga Inspektorati i Punës. Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi theksohet se kjo komunë nuk ka përfillur vendimin e këtij institucioni për kthimin në vendin e punës Zëvendës- Drejtoreshës së QKMF’së në Skenderaj, Florentina Shala – Gashi. Ky vendim ishte cilësuar si politik, pasi ajo mbështeste një parti tjetër.

Nga Komuna e Skenderajt i kanë thënë Gazetës Insajderi se të njëjtës ndryshimi i pozitës i është bërë për shkak të mbarëvajtjes së punëve në sektorin e personelit.

Sipas tyre, Florentina Shala – Gashit nuk i është prekur paga.

“Për zëvendësim në rastin e zëvendësdrejtoreshës së QKMF-së Florentina Shala – Gashi, e njëjta me këtë vendim ka kaluar zëvendësim në pozitën e saj të mëhershme në Sekretarinë e QKMF-së për periudhën 12 mujore dmth përkohësisht, pa ju prekur paga e saj, për arsye të mbarëvajtjes së punëve në sektorin e personelit të këtij Institucioni, me vendim të kryetarit të komunës si Zyrtari Kryesor Administrativ, në mungesë të vendimit nga Drejtori i QKMF-së, i cili kishte shkuar në pushim vjetor pa njoftim paraprak dhe pa lejen e Drejtorit të Shëndetësisë ose të Kryetarit të Komunës. Lejimin e pushimit vjetor e bën zëvendësdrejtoresha, në këtë rast ankuesja, e cila në atë kohë ishte vartëse e tij, që e cila është e paligjshme“, thuhet në përgjigje.

Vajza e dëshmorit, Sejdi Shala, Florentina Shala – Gashi në një prononcim për Insajderin, ka akuzuar komunën se vendimi për largim ishte politik pasi ajo është përkrahse e partisë tjetër “Ideal”.

“Nura dënohet nga IP por nuk e përfill dënimin dhe si jurist i mire qe është ai e anulon jashtëligjshëm procedurën e zëvendësdrejtorit dhe me kthen në pozitë të zyrtares dhe e gjitha kjo ndodh vetëm për shkak të bindjes sime politike , vlen të ceket shumë që këta persona që thirren në emër të UÇK këtë lojë politike dhe presion te vazhdueshëm e po ashtu degradim e bëjnë direkt një fëmije të dëshmorit“, tha ajo për Gazetën Insajderi.

Ajo në pozitën e zëvendës-Drejtoreshës së QKMF’së ishte zgjedhur me konkurs të brendshëm.

Komuna e Skenderajt kishte marrë vendim që ta largojë nga kjo pozitë.

Me 15 mars Fadil Nura është dënuar me 1500 euro gjobë. Në vendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se Nura ka cenuar dispozitat e punës.

“Për cenimin dispozitës të nenit 8, të Ligjit Nr.03/L-212 i Punës, e sanksionuar më dispozitën e nenit 2 dhe 7 paragrafi 4, nënparagrafi 4.2, të Udhëzimit Administrativ nr.07/2012 Pr Përcaktimin dhe Shqiptimin e Gjobave për Shkelje të Dispozitave të Ligjit të Punës, shqiptohet gjobë ne lartësi prej 500.00 (pesqind euro)“, thuhet në dokument.