Lajme

Deklaroi rrejshëm se dikush gjuajti me armë në drejtim të veturës së tij, ky është 47-vjeçari që u arrestua në Klinë

Sinjali raportoi mëngjesin e së enjtes për disa të shtëna me armë zjarri, që dyshohej se ishin dëgjuar në fshatin Rixhevë të Klinës. Sipas denoncuesit të rastit, cak i të shtënave ishte vetura e tij me të cilën ishte në lëvizje, por pas veprimeve hetimore është zbuluar se e gjithë kjo ishte deklarim i rremë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 47-vjeçari, Faik Ismajli, ka deklaruar rrejshëm në Polici se persona të paidentifikuar dhe për motive të panjohura, kanë shtënë me armë në drejtim të veturës së tij.

Pasi u zbulua se i njëjti ka gënjyer, Ismajli është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Deklarim i rremë’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.