Lajme

Deklarohen ekskluzivisht për Veriu.info nga kompania, ekskavatori i së cilës u dogj në Zveçan pak orë pas zgjedhjeve

Një ekskavator i një kompanie kosovare është djegur mëngjesin e së hënës në veri. Ngjarja ka ndodhur në Zveçan disa orë pas përfundimit të zgjedhjeve në veri.

Ekskavatori i djegur është i kompanisë kosovare “Benita Company SHPK”, me seli në Gremnik të Klinës.

Inxhinieri i kësaj kompanie, Burim Kelmendi, ka folur ekskluzivisht për Veriu.info, ku ka rrëfyer se si ka ndodhur ngjarja.

Kelmendi ka thënë se djegja e ekskavatorit të kompanisë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit pas përfundimit të zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit.

“Djegja e ekskavatorit ka ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjesit, kurse policia e Kosovës na ka njoftuar rreth orës 4. Ekskavatori është djegur komplet dhe ka mbetur vetëm pjesa metalike.” – ka deklaruar Kelmendi për Veriu.info.

Ai po ashtu ka deklaruar se “Benita Company” është duke kryer punime në Zveçan për ndërtimin e palestrës dhe trotuarit, në një projekt të Komisionit Evropian.

Sipas Kelmendit, kompania në fjalë po zhvillon punime në këtë pjesë si nënkontraktor.

Rastin e djegjes së ekskavatorit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, duke thënë se ka ndodhur në rrethana të panjohura.

Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin, nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar” thuhet në njoftimin e Policisë.