Kryesore

Dalin pamjet nga darka e fundit që Naim Murseli i organizoi Liridonës pak momente para vrasjes makabre

Orët e fundit të jetës së saj, 30-vjeçarja Liridona Ademaj, i kaloi në shoqërinë e bashkëshortit të saj, Naim Murseli dhe dy fëmijëve të tyre, 4 dhe 6-vjeçar. E ndjera nuk e kishte idenë se darka në restorantin ‘Etno Kuca’ në Graçanicë, do të ishte e fundit për të. Pak orë më vonë, ajo dyshohet se u vra me armë zjarri nga tashmë i arrestuari, Granit Plava. Ky i fundit, dyshohet se armën drejt Liridonës e shkrepi me porosi të Naimit, i cili dyshohet se pagoi 30 mijë euro për ta privuar nga jeta bashkëshorten, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive nga nata kritike në restorantin ku po darkonin familja Murseli.

Sipas pamjeve, shihet se ata hyjnë brenda restorantit dhe ulen për të vazhduar më tej me darkën.

Sinjali mëson se i pranishëm në kohën dhe restorantin e njëjtë, dyshohet të ketë qenë edhe i dyshuari për vrasjen, Granit Plava.

Pas përfundimit të ndejës së tyre, Naimi bashkë me Liridonën dhe fëmijët janë nisur me veturën e tyre, deri kur arritën në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ e ku gjoja u kanë dalë në pritë grabitësit e armatosur, që në fakt ishte Plava, i cili dyshohet se e qëlloi nga afërsia Liridonën me plumb në qafë.

Darkën para tragjedisë, e ka përmendur edhe babai i të ndjerës, Hajdar Ademaj, i cili ka deklaruar se para se të nisej për në Prishtinë, Liridona kishte qëndruar për vizitë te familja e saj në Gjakovë.

Ademaj tha se Liridona e kishte njoftuar se bashkë me Naimin do shkojnë për të ngrënë bukë në Graçanicë.

At ditën e mram, ka thënë babë po shkoj. I thash ku, tha tek shpija babë. Jo babë po shkoj tha. U shku. Kur ka mbërri ai në Prishtinë atje e ka thirr burrin e vet i ka thënë ku je thotë erdha në Gjakovë për me ju bë befasi fëmijëve që jom ardh me ju marr. Sonte babë tha a e din se ku jena tu dasht me shku, tha jemi ka dojmë me shku në Graçanicë me hangër bukë. Thashë u ba e të fala Naimit. Kur u bë 20:15 minuta kam ndi që u vra qika” ka thënë pas aktit tragjik, Hajdar Ademaj.

Kujtojmë që, fillimisht Naim Murseli pati deklaruar se ai ka arritur që të arratiset me fëmijët, ndërsa më pas ka dëgjuar të shtënën që e la të vrarë në vend Liridonën.

Por, ai nuk qëndroi në cilësinë e viktimës as për 48 orë, pasi menjëherë pas varrimit të Liridonës, më 1 dhjetor, Naimi u arrestua si i dyshuar për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij.

Bashkë me të në pranga ranë edhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit. Tre të dyshuarit kanë inskenuar një grabitje të armatosur, çka bëri që rasti fillimisht të cilësohej si ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’.

Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.

Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

E, në vazhdën e zhvillimit të hetimeve për rastin e vrasjes së rëndë të 30-vjeçares, Liridona Ademaj, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, ka kryer sot një aksion policor në fshatin Novosellë të Gjakovës, me ç’rast ka arrestuar edhe të dyshuarin e katërt, Tomë Dodaj.

Dodaj dyshohet se ka furnizuar me armën e krimit dy të dyshuarit tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën.

Kujtojmë se trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, të hënën u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.