Çfarë është EGF-ja që dërgoi karabinierë në Kosovë për shkak të zhvillimeve në veri?
Përfaqësuesi i Lartë për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Josep Borrell, mbrëmë në orët e vona njoftoi se janë dërguar forca shtesë në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Borrell bëri të ditur se në Kosovë kanë zbarkuar policë të Forcës Evropian të Xhandarmërisë, transmeton Gazeta10.
Çfarë është EGF?
Forca Evropiane e Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), është forcë operacionale që mund të dislokohet me shpejtësi për intervenime, që përbëhet nga elemente të forcave policore evropiane dhe që ka status ushtarak për të kryer të gjitha operacionet policore në situata kur kërkohet menaxhim i krizave.
Kjo forcë është themeluar në vitin 2006 me vendimin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian: Franca, Italia, Holanda, Portugalia dhe Spanja, ndërkaq Rumania i është bashkuar në vitin 2009 dhe Polonia në vitin 2011. Zyrat e saj qendrore janë në Vicenza të Italisë.
Megjithëse nuk është themeluar në nivel të Bashkimit Evropian si institucion, kjo forcë mund të aktivizohet si forcë multinacionale në pajtim me nenin 42.3 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian.