Lajme

‘Çartet’ burri, e gjuan me televizor bashkëshorten që erdhi nga mërgimi

Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Fushë Kosovë, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi që bashkëshorti i saj dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj saj.

Bazuar në dëshminë e viktimës e cila është shtetase e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pak ditë më parë bashkëshorti i saj ka demoluar banesën e saj dhe ia ka dëmtuar dokumentet identifikuese amerikane.

Pos dhunës psikike, i dyshuari ka ushtruar dhunë duke e gjuajtur 32-vjeçaren me televizor, por për fatin e saj të mirë nuk kishte arritur që ta godas. Por keqtrajtimi nga ana e të dyshuarit nuk është ndalur me kaq, pasi që i njëjti dyshohet se e ka privuar viktimën që të ketë qasje në kartelat e saj bankare si dhe pa lejen e saj ia ka marrë në shfrytëzim veturën, po ashtu me targa amerikane.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit, pasi që i njëjti ndodhet në arrati.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.