Burri vrau gruan dhe djalin, më pas veten – krejt çka dihet për tragjedinë në Rufc të Lipjanit
Shtëpia e familjes Bekteshi në Rufc të Lipjanit pasditen e së premtes u shndërrua në skenë krimi. Kryefamiljari, Abedin Bekteshi, dyshohet se privoi nga jeta bashkëshorten dhe djalin e tyre, Arditin e më pas edhe veten, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dyshohet që dorasi në fund ka bërë vetëvrasje.
Sipas informacioneve të para, i gjithë akti makabër dyshohet se u krye me armë zjarri.
Nga Policia kanë deklaruar për Sinjalin se vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli ne vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 16:30 policia ka pranuar informatën për tre persona të pajetë në fshatin Rufc të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku janë hasur tre trupa të pajetë. Vdekja e të cilëve është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor. Aktualisht policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, tha zëdhënësja e Policisë për rajoinin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Kurse, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rastit.
“Lidhur me rastin i cili ndodhi sot në fshatin Rufc të Lipjanit, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti.
Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje (brenda familjes)”, tha Ulaj.