Lajme

Burri nga Skenderaj shkel urdhrin mbrojtës, e kërcënon ish-gruan se rasti do të përfundojë me vrasje

Urdhrat që lëshojnë Gjykatat ndaj personave të cilët kanë kryer dhunë në familje jo gjithmonë respektohen dhe për pasojë vepra përsëritet e madje përfundon edhe tragjikisht, siç ndodhi me rastin e gruas shtatzënë që u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Një rast i frikshëm, ku është paralajmëruar edhe vrasja ka ndodhur së fundmi në një familje në Skenderaj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një grua e ka denoncuar bashkëshortin e saj në Polici, i cili nuk e ka respektuar urdhrin mbrojtës të Gjykatës, për të mos iu afruar viktimës, ashtu që e përcjellë në vazhdimësi në qytet, ku në një rast ka tentuar edhe ta godas me veturë.

Për të mos mbaruar me kaq, Sinjali mëson se i dyshuari A.G., e ka kërcënuar viktimën përmes rrjeteve sociale, derisa para dy ditësh ia ka dërguar një person te shtëpia, gjoja se për t’i rregulluar raportin mes tyre. Ajo çka e bën të frikshëm këtë rast është se i dyshuari ka paralajmëruar se dikush do ta pësojë, e madje edhe me vrasje, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë.

Përballë kësaj situate, gruaja ka vendosur ta raportojë rastin në Polici, ku ka kërkuar mbrojtje pasi ka frikë se mund të ndodhë diçka e keqe.

Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili para hetuesve policorë ka dhënë një deklaratë për rastin dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.

Në urdhrin me të cilin shqiptohet masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, gjykata cakton vendin, regjionin dhe largësinë, brenda së cilës kryerësi nuk guxon t’i afrohet viktimës së dhunës në familje.