Burri në Ferizaj e rrah gruan veç pse debatoi me kolegun e saj të punës, i hyn dajak në veturë e në banesë
Xhelozia e dyshimet për tradhti shpesh bëhen shkaktarë dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familje. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në Ferizaj.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj me të cilin është e martuar që 16 vjet.
Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, ashtu që i dyshuari ishte kapur me të vetëm pse ajo kishte debatuar me kolegun e saj të punës pasi ka përfunduar orarin.
Për pasojë, posa viktima ishte futur në veturën e burrit i njëjti ka nisur zënkën e cila eskaloi në dhunë kur arritën të banesa e tyre.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka rrahur gruan në veturë e më pas edhe në banesë, duke i shkaktuar lëndime trupore, por edhe shqetësim të madh.
Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të raportojë rastin në Polici, para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.