Lajme

Burri grushton gruan 19-vjeçare, shkak mospajtimet me familjen e saj

Rastet e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, pasi që çdo ditë në të gjitha rajonet e Kosovës denoncohen dhjetëra raste të dhunës, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift nga fshati Lubeqevë i Prizrenit, pasi gruaja 19-vjeçare e ka denoncuar bashkëshortin e saj 20-vjeçar për dhunën fizike e psikike që ka ushtruar ndaj saj.

Sinjali mëson se viktima ka raportuar se burri i saj pas mosmarrëveshjeve me familjen e saj, e ka sulmuar atë me grushte, duke i shkaktuar frikë e shqetësim, për çka u detyrua të kërkojë ndihmën e Policisë.

Si rezultat i raportimit të rastit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua lidhur me veprën me të cilën ngarkohet, teksa në shtëpinë e tyre është sekuestruar një armë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të iniciohet rasti për “Dhunë në familje”.