Burri e lidh gruan dhe e rrah, dyshohet se ia dogji organin gjenital për shkak të tradhtisë
Një rast i rëndë i dhunës në familje dhe mjaft i frikshëm ka ndodhur në një familje në Graçanicë, ku viktimë edhe kësaj radhe rezulton të jetë një grua, e cila u rrah brutalisht nga bashkëshorti i saj. E keqja që iu kanos asaj, përveç se është e tmerrshme, po qe se realizohej mund të përfundonte tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në fund të muajit qershor, por detajet tronditëse janë zbuluar së fundmi, pasi gruaja e cila është viktimë e këtij rasti ka rrëfyer dhunën që e ka përjetuar nga burri i saj, në shtëpinë e tyre.
Sinjali mëson se i dyshuari T.B., fillimisht ka pasur një konflikt verbal me gruan, të cilën e ka akuzuar për tradhti, e më pas të njëjtës ia ka lidhur duart e këmbët dhe e ka sulmuar fizikisht me një kabllo. Për të mos mbaruar me kaq, ai ka shkuar edhe më tej, me veprime të tmerrshme.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, viktima ka deklaruar se burri i saj ka ndezur një zjarr, me qëllimin që t’ia djegë organet gjenitale, ku për pasojë i ka shkaktuar plagë në trup.
Përballë kësaj situate, gruaja fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në spital, si pasojë e djegieve që pësoi, ndërsa tek gjatë ditës së djeshme është dëgjuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Pas mbledhjes së dëshmive për rastin, Prokurori ka urdhëruar arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit, si dhe nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhuna në familje”.