Lajme

Bie në pranga i shumëkërkuari për sulmin brutal ndaj fëmijës në Prizren, Prokurori e liron

Një person që dyshohet se sulmoi brutalisht një fëmijë në rrugën ‘Hadi Kantarxhiu’ në Prizren, duke ia thyer krahun, ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës. I dyshuari ishte në kërkim policor që nga qershori dhe për identifikimin e tij u kërkua edhe ndihma e qytetarëve të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Skender Krasniqi, 31-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, Krasniqi është identifikuar pas veprimeve hetimore të Policisë dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.