Lajme

Berisha: Policia s’ka dështuar, mos t’i gjuhemi në qafë veç pse po mundemi

Pas vrasjes së gruas shtatzënë, e cila kishte urdhër mbrojtjeje nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, i cili dyshohet të ketë ushtruar më parë dhunë në familje, janë hedhur dyshime në drejtim të Policisë së Kosovë, për dështimin e trajtimit të këtij rasti. Por një qasje tjetër në këtë çështje e ka shprehur avokati Besnik Berisha, i cili vlerëson së Policia s’ka dështuar, raporton Gazeta Sinjali.

Në një postim në Facebook, Berisha ka shkruar se Policinë duhet të lihet e qetë për ta kryer punën e vet dhe nuk duhet “ti gjuhemi në qafë veç pse po mundemi”.

Sipas tij, urdhri që ka pasur e ndjera s’ka qenë për mbrojtje të afërt, por e ka ndaluar të dyshuarin, ta shqetësojë e keqtrajtojë.

“Sokol Halili e din që s’ka rrugë tjetër përveç dorëzimit dhe kjo tashmë është veç çështje kohe. Policia duhet lënë e qetë ta bëjë punën e vet! Kapja e tij sot apo nesër, apo edhe ne ditët në vijim, nuk e zhbën krimin e as nuk e minimizon pasojën.

Policia s’ka dështuar, mos t’i gjuhemi në qafë veç pse po mundemi. Urdhri mbrojtës nuk ishte urdhër për mbrojtje të afërt, por urdhër që i ndalonte dorasit për ta shqetësuar, sulmuar, keqtrajtuar fizikisht apo psiqikisht palën mbrojtëse. Moszbatimi i tij është vepër penale dhe tek atëherë vene në lëvizje policinë.”, ka shkruar Berisha.

Avokati tutje është shprehur se dështimi për parandalimin e rasteve të tilla nuk duhet kërkuar vetëm në Polici, por edhe në shoqëri.

“Policia nuk ka as resurse e as mundësi për ta mbajte nën vëzhgim 24/h secilin qytetar që i nënshtrohet urdhrit mbrojtës. Të tillë urdhra gjykatat nxjerrin çdo ditë. Dështimin për parandalimin e rasteve të tilla nuk duhet ta kërkojmë veç në Polici, sepse dështimi është zinxhir qe na godet te gjithëve si shoqëri, e nuk ndalet deri në qeveri! Unë besoj në Policinë tonë!”, përfundon ai.