Babai ushtron dhunë fizike e psikike ndaj vajzës pasi u nda nga burri i saj, e quan të pandershme
Vajzat dhe gratë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës në familje nga prindërit, partnerët e anëtarët tjerë të familjes. Për shkak të situatës në të cilën ndodhen dhe rrezikut që u kanoset, ato në shumë raste kërkojnë ndihmën e Policisë, për të zgjidhur problemet dhe për të parandaluar ndonjë të keqe më të madhe, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Lipjan, ku një 22-vjeçare e ka denoncuar babanë e saj për dhunë fizike dhe psikike.
Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima ishte divorcuar nga burri i saj dhe u kthye te familja e saj, ku po përballet me presion të vazhdueshëm.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka ushtruar dhunë ndaj viktimës, me arsyetimin se rasti që ka ndodhur e ka prekur në nder, duke e bërë atë vajzë të pandershme.
Si rezultat i raportimit, babai i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.