Babai kapet me djalin për gomat e veturës, e sulmon gruan që ndërhyri ta ndalojë
Zënkat mes anëtarëve të familjes janë të shpeshta, por ka raste kur ato eskalojnë në dhunë psikike e fizike ndaj njëri-tjetri. Nuk janë të rralla as rastet kur i dyshuar kryesor për dhunë në familje, është kryefamiljari, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Pejë, ku një person është futur në sherr me babanë e tij, pas një konflikti verbal që kanë pasur mes vete.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zënka mes tyre ka nisur pasi babai është kapur me të birin për shkak të një debati lidhur me gomat e veturës.
Për ta qetësuar situatën, ka ndërhyrë gruaja e të dyshuarit, por e njëjta e ka pësuar pasi burri e ka sulmuar fizikisht dhe më pas ka tentuar ta rrah edhe djalin.
Rasti është denoncuar në Polici dhe si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.