Babai i rrah i bën llom dy vajzat e tij të mitura, familja e çon në Polici
Jo rrallëherë prindërit përfundojnë në pranga për shkak të keqtrajtimit që ua bëjnë fëmijëve. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, ka rënë në pranga të Policisë një 57-vjeçar në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u arrestua po dyshohet për dhunë fizike ndaj dy vajzave të tij, pas një konflikti verbal që kishin pasur mes vete.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për dy të mitura, të cilat janë rrah nga babai, në shtëpinë e tyre, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.
Përballë kësaj situate, dikush nga familja vendosi ta kërkojë ndihmën e Policisë, duke e raportuar atë që kishte ndodhur.
Si rezultat i denoncimit të rastit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ndërsa vajzat e tij janë dërguar për trajtim mjekësor.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.