Lajme

Avokati Berisha: Në restorantin ku po darkonte Liridona, ishte i pranishëm edhe vrasësi i saj

Avokati kosovar, Besnik Berisha, ka shpalosur detaje tjera tronditëse nga ngjarja e rëndë e 29 nëntorit, ku 30-vjeçarja, Liridona Ademaj, dyshohet se u vra me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, raporton Gazeta Sinjali.

Avokati Berisha deklaroi se në restorantin ku po darkonte e ndjera bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët, ishte i pranishëm edhe dorasi, teksa shtoi që plani fillestar ishte që Liridona të ekzekutohej duke inskenuar një aksident trafiku.

“Plan i cili nuk e ka pasur si pikënisje të parë ekzekutimin me revole, por si plan i parë ka qenë një aksidentim. Dyshohet dhe ka rrëfime nga persona që e kanë pranuar ekzekutimin e zonjës Ademaj se plani paraprak ka qenë që të mos ekzekutohet me plumb por të ekzekutohej në këtë mënyrë duke inskenuar një aksident trafiku. Meqë kjo s’ka qenë pjesë e kombinimit, pas një darke familjare, duket që në vendin e fundit ku është qerasur për herë të fundit zonja Ademaj ka qenë edhe vrasësi i saj dhe gjatë rrugës për në shtëpinë e tyre, rezulton se në emër të një grabitje të inskenuar është privuar nga jeta”, tha avokati Berisha në Rubikon në Klan Kosova.

Më tej, Berisha tha se personat e involvuar në krim “kanë harruar se dikush do të vijë dhe t’i gjurmojë nga momenti kur kanë dalë atje”.

“Hetuesit më elitarët që i kemi në rajonin e Prishtinës e kanë marrë trajtimin nga atje dhe atje e kanë vërejtur që ka një person “të afërt” me familjen dhe ka një person që në bazë të hartografive ka mbajtur kontakte para dhe pas krimit me tani të dyshuarin, Naim Murselin”, tha më tej ai.

Ndryshe, mbrëmjen e 29 nëntorit, i gjithë vendi u trondit nga ngjarja makabre ku viktimë ishte 30-vjeçarja, Liridona Ademaj. Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur. Ky i fundit dyshohet se pagoi 30 mijë euro Plavën, për ta zbatuar gjithë planin.

Të dielën, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.

Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

Trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, dje u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.

Në shenjë revolte, sonte u mbajt një protestë në Prishtinë, ku nën moton ‘S’ka paqe pa sigurinë e grave”, u kërkua drejtësi për të gjitha gratë e vrara.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.