Atentat 40-vjeçarit në Lezhë, ekzekutohet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në aksin rrugor Lezhë – Shkodër, ku persona ende të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po drejtonte Entjan Nikulaj, kushëriri i Ardian Nikulajt, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas mediave në Shqipëri, Entjan Nikulaj, nuk ka arritur t’i përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë në spital.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi Entjan Nikulaj, ju informojmë se: Ky shtetas, si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht ndihmës dhe trajtimit të menjëhershëm mjekësor, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Lezhës”, konfirmoi Policia në një informacion për mediat atje.
Atentati ndodhi rreth orës 21:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Ura e trenit”.
Paraprakisht mësohet se autorët janë larguar me BMË ngjyrë gri, me targa të vjedhura, AB 138 HT. Kjo targë është raportuar e vjedhur më 29 nëntor në Tiranë, në zonën e Kombinatit, raporton KlanTV.
Vetëm pak kohë pas kësaj ngjarje, pranë aeroportit në Rinas u gjet në flakë një automjet, i cili dyshohet se u përdor nga autorët e dyshuar në atentatin e kësaj të shtune.
Entjan Nikulaj është djali i xhaxhait të biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili ishte ekzekutuar në lokalin e tij në Shëngjin më 19 Prill të këtij viti. Biznesmeni u vra si pasojë e hasmërisë 26-vjeçare mes fisit Lekstakaj dhe Nikulaj.