Arrestohet ushtari i FSK-së në Suharekë, pasi gjuajti me armë pas rrahjes me baballakun
Një ushtar i FSK-së sot është arrestuar në Suharekë pasi dyshohet se pas një përleshjeje fizike ka gjuajtur në ajër me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shirokë të Suharekës rreth orës 17:30.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtari për informim i Policisë së Rajonit të Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi.
Bytyqi ka thënë se i dyshuari është arrestuar pasi është përleshur fizikisht me babanë e bashkëshortes.
“Pas një mosmarrëveshjeje i dyshuari i parë A.B., (ushtar i FSK-së jashtë detyrës) dhe i dyshuari i dytë M.B., 54-vjeç (babai i bashkëshortes) janë përleshur fizikisht” – ka thënë Bytyqi.
Bytyqi tutje ka deklaruar se A.B. më pas ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në ajër.
Pas kësaj ekipet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe personat janë arrestuar.
Sipas Policisë, A.B. ka pasur armë jozyrtare, por me leje. Arma dhe 14 fishekë janë sekuestruar.
Me rastin po merren Hetimet Rajonale të Drejtorisë së Policisë në Prizren.