Arrestohet polici që ishte dënuar me 4 vjet burgim për tentim vrasje, dërgohet në burg
Zyrtari policor i dënuar me burgim për vrasje në tentativë dhe që kishte vazhduar punën përkundër dënimit, Adem Cani, tashmë është dërguar në burg. Policia ka zbarkuar sot në shtëpinë e tij, ku Cani u arrestua dhe u dërgua në vuajtje të dënimit, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se një njësi policore, mëngjesin e sotëm, e ka arrestuar Adem Canin, në shtëpinë e tij në fshatin Baicë të Lipjanit, në bazë të një urdhërese aktive të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Arrestimin e Canit e ka konfirmuar për Sinjalin edhe djali i tij, i cili nuk dha detaje të tjera.
“Nuk pe dimë hala, me dhanë një deklaratë. Informacione tjera s’kemi.” – tha ai shkurt.
Cani ishte shpallur fajtor për veprën penale “Vrasje në tentativë” me burgim në kohëzgjatje prej më shumë se 4 vitesh, por nuk e kishte vuajtur dënimin.
Në janar të vitit 2021, Gjykata e Apelit kishte vendosur që të mos aprovonte kërkesat dhe ankesat e avokatëve të të dënuarve ndërsa kishte vendosur që Adem Cani të dënohet me burgim efektiv prej 4 vite e 6 muaj burg, ndërsa të akuzuarin tjetër, Valon Kleçkën me 4 muaj.
Por si kishte ndodhur rasti?
Më 4 gusht, të vitit 2015, Adem Cani dyshohet se kishte shtënë me armën zyrtare 14 herë, duke lënë të plagosur tre persona në oborrin e një restoranti në Ferizaj.
Përkundër kësaj, Cani kishte vazhduar punën në njësinë e kontrollit dhe sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Në dosjen e Prokurorisë thuhej se polici në dëshminë e tij kishte treguar se nuk ka qenë në punë natën kritike, por në pushim mjekësor pasi kishte pasur probleme shëndetësore.
Ai kishte deklaruar se ishte rrethuar nga 20 persona ndërsa kishte vepruar në bazë të asaj që thotë ligji që të përdor forcën e arsyeshme, atë proporcionale dhe të domosdoshme.