Arrestohet një 20-vjeçar, dyshohet se dy vite më parë dhunoi seksualisht një vajzë
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht. Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur dy vite më parë në fshatin Strazhë të Artanës, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se lidhur me rastin është arrestuar një person.
20-vjeçari që ra në prangat e Policisë, fillimisht u arrestua të enjten e 19 tetorit, por pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt. Ndërsa pas mbledhjes së informacioneve shtesë dhe provave të reja, ai është arrestuar sërish gjatë ditës së djeshme.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.