Lajme

Arrestohet i dyshuari i tretë i grupit që u kapën me mbi 4 kg marihuanë në Veri, po e transportonin drogën në Serbi

Në media u raportua për një aksion të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në Policisë Kufitare, i zhvilluar në fshatin Joshanicë të Leposaviçit, ku rezultoi me sekuestrimim e 4 kilogramë drogë dhe arrestimin e dy personave të dyshuar për shitblerje të drogës. Vetëm tri ditë pas aksionit, Policia ka arritur ta kap edhe të dyshuarin e tretë me inicialet I.R.

Policia ka njoftuar për kapjen e të dyshuarit të tretë i cili është dërguar në mbajtje 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

“Antidroga e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës pas hetimeve të kryera arreston edhe një person tjetër lidhur me rastin e datës 24.03.2023, ku ishin konfiskuar mbi 4 kg marihuanë. Sot më datë 27.03.2023 njësia e antidrogës (DHTN) Mitrovicë veri pas hetimeve të bëra për rastin e datës 24.03.2023 ku është konfiskuar një sasi e drogës, kanë arrit të identifikojnë dhe lokalizojnë edhe një të dyshuar tjetër me iniciale (I. R.)”, thuhet në njoftim.

Ndërsa shtojnë se si prova materiale Policia nga i dyshuari ka sekuestruar një automjet dhe një telefon, përderisa njësia e antidrogës së Mitrovicës veri janë duke kryer hetime relevante për rastin.

Ndryshe, sinjalizuesi nga Veriut kishte bërë me dije se dy të arrestuarit janë Nikola Jevtic dhe Milos Mijailovic, të cilët u ndaluan teksa po lëviznin me veturat e tyre me qëllimin që ta dërgojnë drogën në Serbi.

Në veturën që drejtohej nga i dyshuari Milos, janë gjetur dhe konfiskuar mbi 4 kg lëndë narkotike, marihuanë, të ndara në katër paketime.

Kurse i dyshuarit tjetër, Nikola, ka qenë në përcjellje dhe bashkëpunim me drejtuesin e veturës që kryente transportin e drogës.

Droga, dy veturat si dhe disa telefona janë konfiskuar si dëshmi nga ana e Policisë, kurse të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të aksionit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar vendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve nën dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer vepër penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

/GazetaSinjali/