Arrestohet 26 vjeçari që ia mori 4 mijë € me fajde familjarit të tij, ia kërkonte 400 euro për muaj
Dukuria e fajdesë, që nënkupton huazimin e parave të cilat më pas duhet të kthehen me interes shumë të lartë, përveç se përbën vepër penale, është një dukuri mjaft shqetësuese dhe e rrezikshme. Një hetim i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren i nisur që një kohë ka rezultuar me identifikimin e një personi që dyshohet të ketë kryer këtë vepër, i cili ka qenë objekt i hetimit që ka përfshirë edhe masa të fshehta, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se ndërmarrjes së veprimeve hetimore për këtë rast, sot u zhvillua aksion në Prizren, me ç’rast është arrestuar personi i dyshuar, Andin Shala, 26-vjeçar.
FOTO: Andin Shala
Sipas informacioneve që ka Sinjali, Shala po dyshohet se me qëllim që të përfitojë, ka bërë marrëveshje me viktimën, duke arritur që t’ia marrë mijëra euro kundërligjshëm. Fillimisht, i dyshuari ishte marrë vesh me viktimën që t’ia jap 2 mijë euro për ta zgjidhur një problem, por ta paguajë çdo muaj nga 400 euro.
Gjithçka dyshohet se kishte nisur për shkak të një telasheje që viktima kishte dhe shpresoi se e gjeti zgjidhjen te i dyshuari, me të cilin kanë lidhje familjare (informacione të cilat i posedon Sinjali, por nuk do t’i publikojë me qëllim të ruajtjes së identitetit të viktimës).
Në bazë të hetimeve të zhvilluara, për tre muaj me radhë, viktima ia ka dhënë të dyshuarit nga 400 euro në muaj, e më pas edhe 1500 të tjera, që të shlyejë borxhin për paratë që Shala ia dha.
Gjatë kësaj kohe, të njëjtat burime thonë se Shala dyshohet se edhe e ka kërcënuar me jetë viktimën, kur ky i fundit nuk ka arritur më t’ia kthejë paratë ashtu siç kërkonte.
Për shkak të situatës në të cilën ndodhej, Sinjali merr vesh se viktima ka tentuar dy herë edhe t’i jap fund jetës, si pasojë e problemeve që ia kishte shkaktuar i dyshuari, duke ia kërkuar të hollat. Madje, për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari e ka kërcënuar viktimën edhe përmes personave të tjerë, me ç’rast i kishte çuar selame për borxhin që ia mori.
Përballë kësaj situate, viktima vendosi ta denoncojë të dyshuarin, me ç’rast Policia u aktivizua për ta hetuar krejt çka kishte ndodhur dhe të zbardhen rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.
Dëshmitë e mbledhura gjatë procesit të hetimit kanë provuar përfshirjen e të dyshuarit në këtë rast dhe si rezultat Hetimet Rajonale kanë zhvilluar aksion për arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit.
Shala tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe kjo është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren.
Brenda afatit ligjor, pritet që ndaj të dyshuarit të ushtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Ndryshe, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, gjendjen e rëndë të banimit, varfërinë, papërvojën ose paaftësinë për të gjykuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.