Arrestohet 22-vjeçari që gjuajti me armë dhe hedhi granatë në diskotekën ‘Stop’ në Gjilan, ku po këndonte Mozzik
Mbrëmja e shkuar në diskotekën ‘Stop’ në Gjilan, ishte rezervuar për Mozzikun, Getinjon, Kidën dhe Sabri Fejzullahun e të tjerë, por jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar pasi koncerti u ndal në gjysmë nga Policia.
Burimet e Gazetës Sinjali bën të ditur se një person dyshohet se përpos që ka hedhur një granatë dore e cila s’ka shpërthyer, ka shtënë edhe me armë në drejtim të sigurimit të diskotekës dhe punëtorëve tjerë.
Të shtënat me armë nuk shkaktuan lëndime te personat që ndodheshin përreth, mirëpo një veturë që ishte e parkuar afër ka pësuar dëme materiale, ndërsa i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.
Ndërkohë, Policia e Kosovës njofton se një i dyshuar lidhur me rastin e lartë cekur është arrestuar. I njëjti është një 22-vjeçar me inicialet L.C.
“Njësiti i hetimeve rajonale nga Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, pas një pune mirë të organizuar operacionale dhe veprimeve të shpejta hetimore, ka arritur që të identifikojë, lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin me inicialet L.C. (viti i lindjes 2001, mashkull kosovar shqiptar) me dyshimin se i njëjti me datën 28.07.2023 rreth orës 01:50 ka hedhur një granatë dore dhe ka shtënë me armë zjarri në oborrin e një diskoteke në qytetin e Gjilanit”.
Siç bën të ditur Policia, gjatë një kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një armë e llojit TT e cila dyshohet se është përdorur në rast.
“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe nga prokurori i shtetit është lëshuar vendimi mbi ndalimin për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprat penale “Shkaktim i rrezikut te përgjithshëm’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.