Lajme

Anëtarët e familjes Bekteshi kapen për malin që ua la gjyshi, axha kërcënon nipin se do i vrasë nëse e presin

Telashet pronësore vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjitha qytetet e vendit. Për pasojë qytetarët përfshihen në ngatërresa në mes vete të cilat eskalojnë në sharje, kërcënime, përleshje fizike e shpesh herë kanë përfunduar edhe tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Një konflikt familjar ka ndodhur në fshatin Revuqë të Podujevës, ku disa anëtarë të familjes Bekteshi janë përfshirë në sherr për një pronë të cilën e kanë trashëgimi nga gjyshi i tyre.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se xhaxhai i cili jeton jashtë shtetit, ka kërcënuar nipin e tij me jetë.

Bazuar në dëshminë e dy të rinjve që denoncuan rastin, i dyshuari i ka kërcënuar se do i vrasë me gjithë familjen në rast se shesin pyllin e trashëguar.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.