Analisti i shuan shpresat Bedri Hamzës – ja pse gaboi që pranoi të kandidoj për kryeministër!
Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, ka prezantuar si kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën.
Hamza aktualisht është kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut.
Gjatë një konference për media, udhëheqësi i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt, për shkak të, siç tha ai, keqqeverisjes nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe shqetësimeve të sigurisë dhe “mbi të gjitha ekonomisë së rënduar dhe stagnuar”.
“Kosova ka nevojë për një model të dëshmuar të qeverisjes. Për një qeverisje që kryen punë, që e mban fjalën dhe që u shërben të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha ai.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.
Ai thotë se Memli Krasniqi ka propozuar Hamzën për kryeministër pasi ka qenë në dijeni që nuk ka mundësi ta fitoj vet.
“Memli Krasniqi e di se humbjen e ka të sigurt andaj edhe nuk ka kandiduar vet, po të kishte veç pak besim e do të fitojë, kurrë nuk do e kandidonte dikë tjetër. Pra, kandidimi i Bedri Hamzës është sa për sy e faqe, se duhet të kenë një kandidat e jo se kanë pretendime”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thekson që Hamza do të humbë dhe nuk do të sjellë asgjë kandidatura e tij.
“Bedriu, nëse do të ishte pak i zgjuar nuk do pranonte. Mendoj se Hamza është kandidat i dobët, si i tillë pritet të ketë humbje spektakolare. Ministër i dështuar, guvernator pa asnjë sukses, kandidatura e tij nuk sjellë asgjë të panjohur përveçse humbjen e sigurt”, përfundoi analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Kujtojmë që së fundi partitë opozitare kanë shpeshtuar thirrjet që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Opozita po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve, për shkak të, siç ka thënë, dështimeve të vazhdueshme të Qeverisë, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme.
Mandati katërvjeçar i Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti përfundon marsin e ardhshëm.