Lajme

Aksion në tri komuna: Policia arreston 5 të dyshuar për shtytje në veprat terroriste

Një aksion i Policisë së Kosovës, ka rezultuar me arrestimin e 5 personave të dyshuar për shtytje në kryerjen e veprës terroriste. Operacioni policor është zhvilluar në Pejë, Prishtinë dhe Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.

Policia ka njoftuar se gjatë bastisjeve, janë sekuestruar edhe armë dhe dëshmi të tjera.

Në njoftim thuhet se të dyshuarit janë të njohur për Policinë e Kosovës, si të dyshuar për përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra tjera penale në rajonin e Pejës.

Njoftimi:

Arrestohen pesë (5) persona të dyshuar për ‘shtytje në kryerjen e veprës terroriste dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ Prishtinë, 15 maj 2023

Drejtoria Kundër Terrorizmit, në koordinim me Prokurorinë Speciale, pas hetimeve disamujore, sot, me datën 15/05/2023, ka ndërmarrë operacion policor në gjashtë lokacione, në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, për zbatimin e urdhëresës për kontroll, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.

Si rezultat i këtij operacioni, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘shtytje në kryerjen e veprës terroriste, sipas nenit 134 të KPRK-së’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas nenit 366 të KPRK-së, janë arrestuar pesë persona të dyshuar (L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S.), ndaj të cilëve janë duke vijuar procedurat ligjore.

Të dyshuarit e lartcekur janë të njohur për Policinë e Kosovës, si të dyshuar për përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra tjera penale në rajonin e Pejës.

Në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar:  tri (3) revole,  një armë automatike AK-47,  një armë rekreative pneumatike,  pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve.