Aksion i Policisë: Bastiset një shtëpi në Vitomiricë të Pejës, sekuestrohet drogë e armë – një i arrestuar
Një aksion i Policisë Rajonale në Pejë i zhvilluar gjatë ditës së sotme në fshatin Vitomiricë ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës dhe armëmbajtje pa leje. Bastisja është kryer në pikë të mëngjesit, kur Policia zbarkoi në një shtëpi të këtij fshati, me urdhër të lëshuar nga Gjykata, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije bëhet fjalë për S.I., 28-vjeçar, i cili është arrestuar në flagrancë dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sinjali mëson se pas kontrollit të kryer nga njësitë policore, në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një sasi e drogës, substancë narkotike e llojit marihuanë, një armë me municion, si dhe rreth 250 euro, që janë sekuestruar dhe do të shfrytëzohen si dëshmi për rastin.
Pas përfundimit të aksionit dhe sekuestrimit të provave, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.
Ndaj tij, prokurori ka nxjerr aktvendimin për ndalim dhe dorëzimin e kallëzimit penal, ndërsa brenda afatit ligjor do të ndërmerren edhe veprimet e tjera të nevojshme.