KryesoreLajme

Aksident tragjik në Gjakovë: Një i vdekur dhe dy të lënduar rëndë, makina bie nga ura në ujë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, sot rreth orës 02:00, në fshatin Vogovë të Gjakovës, ku një automjet me targa të Republikës së Shqipërisë, në të cilin ndodheshin tre persona, ka pësuar një vetaksident të rëndë.

Burime nga terreni bëjnë të ditur për Sinjalin se shoferi nuk kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe sapo kishte arritur pranë urës në këtë fshat, humbi kontrollin mbi veturën, duke goditur mbrojtëset prej betoni dhe më pas duke rënë në ujë.

Për pasojë, një nga personat në veturë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerët kanë marrë lëndime serioze dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Në vendin e aksidentit kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e para hetimore.

Autoritetet kanë nisur një hetim për të sqaruar të gjitha rrethanat e aksidentit tragjik.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja që priten nga raportet zyrtare.