Akil Gjakova dorëzohet në duar të Policisë, zbulohen detajet e fundit
Xhudisti Akil Gjakova më në fund i është dorëzuar Policisë së Kosovës, pasi i njëjti u shpall si person në kërkim si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Burime të Insajderit bëjnë me dije se në këto momente, ai ka hyrë në Kosovë nga pika kufitare në Morinë.
Sipas këtyre burimeve, një patrullë policore nga Peja është nisur për në atë drejtim, për ta shoqëruar xhudistin Gjakova në stacionin në Pejë, ku edhe pritet të intervistohet.
Gjakova u lajmërua pak më herët në rrjetet sociale, pasi që u shpall i kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Gjakova ka shpërndarë reagimin e Federatës së Xhudos së Kosovës, ku thuhet se ata besojnë në pafajësinë e tij.
“Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë”, thuhej në njoftimin e federatës ndër të tjera.