Lajme

Kadeti i Policisë së Kosovës cak i sulmit nga disa persona në Pejë, arrestohet një i dyshuar 47-vjeçar

Të shtunën pas mesnate, te pompa e derivateve ‘DHF Company’ në Pavlan të Pejës, ka ndodhur një incident, ku është sulmuar fizikisht një 20-vjeçar. Motivet e rrahjes akoma janë të panjohura, por ajo që dihet është se Policia tashmë ka kapur një person të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima është kadet i Policisë së Kosovës (emër i njohur për redaksinë), i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka qenë cak i sulmit fizik.

Sipas dëshmisë së viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, të dyshuarit e kanë sulmuar fizikisht dhe e kanë goditur me armë në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë aktivizuar dhe kanë arritur ta arrestojnë një person që dyshohet të jetë i përfshirë në rast.

Të njëjtat burime thonë se bëhet fjalë për një 47-vjeçar, i cili është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.