E rëndë: Gruaja që tentoi t’i jap fund jetës dje hidhet sot nga kati i parë i spitalit, dërgohet në QKUK
Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike.
Gazeta Sinjali ka raportuar dje për një rast të tillë dhe mjaft të rëndë që ka ndodhur dje në lagjen Ortakoll të Prizrenit, ku një grua dyshohet se ka tentuar që t’i japë fund jetës së saj, duke u hedhur nga kati i tretë i një ndërtese.
Viktima, e moshës 36-vjeçare edhe sot ka tentuar ta kryejë të njëjtin akt, nga Spitali Rajonal i Prizren, ku u dërgua të martën pasdite për tretman mjekësor.
Burimet brenda spitalit kanë bërë me dije se nga reparti ku ishte duke u trajtuar, gruaja ka tentuar sërish të bëjë vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i parë.
Nga spitali është njoftuar Policia, me ç’rast njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informatat e para për atë që ndodhi sot.
Me t’u përfunduar procedurat, mjeku ka urdhëruar që viktima të dërgohet në Qendrën Klinike Universitare për trajtim të mëtutjeshëm.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.