Lajme

Hajni 30-vjeçar vjedh frigoriferin nga kafeteria “Düsseldorf” në Fushë Kosovë dhe e shet, zbulohet nga kamerat

Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane të qytetarëve, duke shkaktuar humbje e pasiguri, raporton Gazeta Sinjali.

Lokalet e ndryshme jo rrallëherë janë cak i hajnave, të cilët arrijnë të kryejnë vjedhje dhe të marrin sado pak para apo gjësende me vlerë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se kështu ka ndodhur edhe të dielën në kafeterinë “Düsseldorf” të Fushë Kosovë, ku dikush ka arritur të vjedh një frigorifer nga tarraca e lokalit.

Rasti është denoncuar në Polici nga pronari i lokalit, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka deponuar si dëshmi edhe pamjet e kamerave të sigurisë, për identifikimin e personit të dyshuar.

Si rezultat i raportimit, zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin, i cili është shoqëruar më pas në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për vjedhjen që ka kryer.

Sipas të njëjtave burime, i dyshuari e ka shitur frigoriferin e qindra eurove që e vodhi në këtë kafeteri.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe inicimin e rastit ndaj tij.