Lajme

SHBA qorton ashpër Qeverinë e Kosovës për veprimet në Veri

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kryetarëve të komunave, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq me polici brenda objekteve komunale, ku sipas tij po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitet.

Hovenieri i bëri thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, të ndalojë menjëherë “masat e dhunshme dhe ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, thuhet në reagimin e Hovenierit sot, transmeton Klankosova.tv.

Por, Hovenier tjetër gjë deklaronte nëntë ditë më parë. Në një intervistë për Telegrafin ai thoshte se çdo aktivitet kriminal ndaj kryetarëve të veriut do të përballej me dënim të ashpër nga ShBA-ja.

“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar”, pati deklaruar Hovenier, transmeton Klankosova.tv.

Derisa sot rezultat i pengimit të kryetarëve të veriut për të hyrë në zyrat e tyre, nga protestuesit janë lënduar pesë zyrtarë policorë, janë sulmuar ekipet e EULEX-it, janë dëmtuar katër automjete të policisë – ku një është djegur plotësisht.

Sipas raportit zyrtar të policisë, por edhe në videot e Klan Kosovës, gjatë situatës atje janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.

Ndërsa, policia zyrtarisht rastin e ka cilësuar si “Cenim i rendit kushtetues”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Dëmtim, apo asgjësim i pasurisë”.