KryesoreLajme

Berlini kërkon qetësi mes Kosovës dhe Serbisë: Duhet marrëveshje, për të do të vazhdojmë punën me Francën

Nga Berlini zyrtar në një përgjigje për Express kanë thënë se e kanë përsëritur shpesh që sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet shmangur situatat e tilla kur gjithmonë shikohet gjatë në drejtim të asaj që e quajnë “humnerë” të skadimit të afateve, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale.

Gjithashtu kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia ta zgjidhin këtë situatë me dialog të drejtpërdrejt mes vete.

“Ne disa herë deri tani kemi thënë që referuar Ballkanit Perëndimor e posaçërisht raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të largohemi/shmangemi, si të themi që rregullisht të shikojmë gjatë në humnerën e skadimit të afateve. Për një afat të tillë bëhet fjalë në këtë rast.Çështja është se duhet të bëhen kompromise tani. Apeli ynë urgjent i drejtohet të dyja palëve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë, që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe ta zgjidhin këtë konflikt realisht në dialog të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën”, thuhet në përgjigje.

Tutje theksojnë se është e rëndësishme arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë dhe thonë se do t’i vazhdojnë përpjekjet bashkë me Francën dhe partnerët tjerë evropianë për t’u siguruar dialogu vazhdon dhe të bëhet progres në këtë çështje.

“Kancelari ka thënë se është e rëndësishme që marrëveshja të ketë sukses dhe ne duhet të punojmë me durim dhe me përpjekje të mëdha për ta arritur atë. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë me Francën dhe partnerët e tjerë Evropianë për t’u siguruar që dialogu vazhdon dhe që të ketë progres në këtë çështje”, potencon përgjigja nga Berlini.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar pas vendimit për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit ka refuzuar të implementojë vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për targat.

Si rezultat, me ftesën e Listës Serbe të shtunën e javës që shkoi është mbajtur një takim në Zveçan, ku edhe është marrë vendim për braktisje të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Kthim dhe Komunitete dhe deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës. Gzjithashtu ka pasur dorëheqje nga Policia, Gjykatat dhe Prokuroria.

Lidhur me këtë situatë ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, duke iu bërë thirrje serbëve që të mos i lëshojnë institucionet. Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se është Serbia ajo që është armik i popullit serb në Kosovë, meqë po ua djeg veturat dhe shtëpitë të gjithë atyre që po respektojnë rendin dhe ligjin e Kosovës.