Lajme

32 vjeçari kërcënon se do vrasë prindërit, nënën e moshuar e tërheq ‘zhag’ për flokësh

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Me dhunë brutale nga djali i saj, po përballet tash e një kohë edhe një nënë e moshuar në Prishtinë.

Sinjali mëson se rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë pas mesnate, kur në banesën e familjes në rrugën ‘Qamil Bala’, janë dëgjuar britma e ulërima të mëdha, çka kanë shtyrë fqinjët që të reagojnë dhe të ndërhyjnë për të parandaluar më të keqen.

E moshuara ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se djali i saj 32-vjeçar ka kërcënuar se do ta vrasë atë dhe bashkëshortin e saj, respektivisht babain e tij, e më pas nënën e ka tërhequr zvarrë për flokësh.

Në kuadër të veprimeve hetimore është intevristuar në cilësinë e dëshmitarit edhe fqinji i cili i doli në ndihmë 72-vjeçares.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari, i cili është recidivist i veprës së dhunës në familje ndaj prindërve, është arrestuar në vendngjarje dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.