Lajme

Punëtorët e Viva Fresh ‘avullojnë’ pijet alkoolike nga depoja e marketit, drejtori i denoncon në Polici

Personat të cilët nuk përmbushin detyrat dhe keqpërdorin autorizimet e tyre me qëllim që vetes apo dikujt tjetër t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme e po ashtu shkaktojnë dëme në mjetet materiale që janë nën kujdesin e tyre, kryejnë vepër penale e cila mund të dënohet me gjobë dhe burgim deri në tri vjet, raporton Gazeta Sinjali.

Një vepër e tillë dyshohet të ketë ndodhur në depon e kompanisë së rrjetit të shitoreve ‘Viva Fresh Logistic’ në fshatin Suhodoll të Graçanicës, ku disa punëtorë dyshohet se kanë marrë një sasi të alkoolit dhe të njëjtën më pas nuk e kanë futur fare në listën që evidenton hyrje-daljet nga depoja.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se kjo është vërejtur nga drejtori i kompanisë, i cili gjatë ditës së djeshme ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Bazuar nga dëshmia e tij, janë shoqëruar në stacion policor stafi menaxhues i depos, të cilët janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.

Njëri nga ta ka pranuar se në bashkëpunim me kolegët e tij kanë bërë bartjen e kundërligjshme të 15 paketimeve të alkoolit dhe kanë përfituar rreth 500 euro.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që pesë të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i besimit’.