Burrë e grua rrahen me njëri-tjetrin, përfundojnë të dy në Polici
Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të martën në një familje në Lipjan, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, një burrë e një grua përfunduan në Polici pasi u rrahën me njëri – tjetrin si pasojë e problemeve të vazhdueshme që kanë mes vete dhe nuk po arrijnë t’i zgjidhin.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti dyshohet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes dhe nisi pas një zënke, e cila pasoi me dhunë fizike, ashtu që të dy pësuan lëndime trupore.
Ngjarja që ndodhi u denoncua në Polici nga burri, i cili u ankua se ai ishte viktimë e dhunës së ushtruar nga bashkëshortja e tij. Por pasi u shoqëruan në stacion, u kuptua se të dy dyshohen për incidentin që ka ndodhur mes tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.