Këta janë të dyshuarit që tentuan ta rrëmbejnë të miturin në Fushë Kosovë, zbulohet motivi dhe detaje të tjera
Konfliktet për shkak të xhelozisë jo rrallëherë kanë shkaktuar incidente të ndryshme, që janë përcjellë me kanosje serioze e përleshje brutale. Në të tilla raste më së shpeshti përfshihen të rinjtë, të cilët për shkak të dyshimeve për dashurinë a besnikërinë futen në telashe të mëdha. Për një rast të tillë Policia ka arrestuar tre persona në Fushë Kosovë, nën dyshimet se kanë tentuar ta rrëmbejnë një person, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tre të dyshuarit janë Gentrit Mula dhe Erion Canolli, si dhe një 18-vjeçar, D.XH., të cilët po dyshohen se gjatë ditës së djeshme, kanë tentuar ta marrin me forcë një 17-vjeçar.
Sinjali mëson se viktima po dyshohet se ka shpërndarë një video ku shihet bashkë me të dashurën e të dyshuarit Gentrit Mula. Ato pamje e kanë revoltuar këtë të fundit, i cili ka vendosur t’i qërojë hesapet duke tentuar bashkë me shokët e tij ta rrëmbejnë viktimën.
Por plani iu shkoi huq, pasi i riu arriti të largohet dhe ka kërkuar ndihmë nga Policia. Gjithçka u zbulua me t’u denoncuar atë që kishte ndodhur, me ç’rast të dyshuarit u prangosën.
Me rastin e arrestimit, te të dyshuarit janë gjetur thika, boks metali, si dhe mulli për bluarjen e narkotikëve.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve dhe dorëzimin e kallëzimit penal.
Ndryshe, marrja apo mbajtja me forcë me qëllim për të përfituar ose për ta detyruar dikë të veprojë në një formë të caktuar përbën vepër penale dhe sanksionohet me burgim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata