Lajme

Vazhdon trendi i parave false, zbulohen dy raste

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro. Raste të tilla po raportohen me të madhe nga bankat e bizneset në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Dy raste të tilla janë zbuluar së fundi në Fushë Kosovë dhe Deçan.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se menaxheri i bankës ‘Raiffeisen Bank’ ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se në filialin në rrugën ‘Nënë Tereza’, një klient ka deponuar një kartëmonedhë prej 50 eurosh e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Njësitë policore kanë sekuestruar kartëmonedhën dhe kanë nisur hetimet lidhur me rastin.

Po ashtu në rrugën ‘Salih Çeku’ në Deçan, edhe menaxheri i bankës ‘NLB’ ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Sipas tij, dikush nga klientët kanë deponuar në bankomat një kartëmonedhë në vlerë të 50 eurove dhe e njëjta dyshohet të jetë false.

Paratë janë sekuestruar dhe me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Falsifikim i parasë’.

Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.